Home / LETËRSI / Poezi nga Eli Kanina

Poezi nga Eli Kanina

Poezi nga Eli Kanina

JETA ËSHTË IMITIM

Deri në çastin e mbramë
Jeta është imitim i vazhdueshëm i çastit të lindjes!
Imitim i pulitjes së pari të syve
I prekjes, i mekjes dhe qarjes së parë
I thëthitjes së parë të buzëve, duarve, gjinjve
I qeshjes së parë engjëllore
I hapit dhe tekës së parë
I belbëzimit të parë
I dashurisë së parë…
Përsëritje e përsëritje
Me dëshirën e besimin e marrë
Për ripërtëritje.

Jeta është imitim i vazhdueshëm i çastit të lindjes!
Në kërkim të aromës së jetës
Me aroma që çastin çmendin si afrozodiakë
Mallit ia përndezin kujtimet si flakë
Me aroma flakonesh që vdesin e ngjallin dëshirën për jetë
Deri në eliksir manipulojnë njëherësh
Gjakun
Qumshtin
Djersën
Limfën e lëngjet e tjerë
Ndërsa hyjnë e dalin nëpër trup
Për jetë, në emër të jetës…

Jeta është imitim i vazhdueshëm i çastit të lindjes!
Me ndjesi që çelin zogj brenda nesh
Të shpresës
Të fantazisë
Të gëzimit
Të vuajtjes e marrëzisë
Përpëlitje që shpuplojnë imitueshëm
Duke ngrirë e shkrirë në gjak
Ca shpikje të shijes së përafërt me lindjen
Për tu ndier të rilindur
Sadopak…

Jeta është imitim i vazhdueshëm i çastit të lindjes!
Nëse s’arrin ta imitosh
T’ia ndiesh rishtazi
Shijen prej qumështi
Aromën prej gjaku
Prekjen e mishtë
Nëse nuk rilindesh herë pas here
As ndjen ta bësh për veten tënde
Fillo të ç’mësohesh
Me shpresën e gjethes në rënie
Derisa dheu të përpijë
Jetës jepi aromë prej dheu
Ndërsa humb e humb klorofil
Deri në çastin e mbramë…

Vdekja mos të të zërë gafil!

Përreth Redaktor

Kontrolloni gjithashtu

KU SHKOI DASHURIA PËR NJERINË ?!-Nga Eduart Veli

KU SHKOI DASHURIA PËR NJERINË ?! Nga Eduart Veli Askush s’të flet më për njerinë,kjo …

Një koment

  1. Faleminderit Puppet Chanel për këtë surprizë të këndshme!
    Bashkëpunim të mbarë në vazhdimsi dhe suksese në misionin tuaj!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.