Home / LETËRSI / Cikël poetik nga Shefik Arifi

Cikël poetik nga Shefik Arifi

Cikël poetik nga Shefik Arifi

VËREJTJET E NËNËS

Në jetë, më kanë bërë shumë vërejtje
Të brishta, të ftohta, si diell që s’ngroh
Vërejtjet e nënës ishin krejt ndryshe
S’më hiqeshin nga mëndja për asnjë kohë.

Dhe i vogël dhe kur u bëra burrë
Më pëlqente vërejtja më shumë se lëvdata
Vërejtjeve të nënës s’iu ikën koha kurrë
Nga të gjitha vërejtjet më e sakta.

SHKURTOJE KOHËN

Ty të kam pritur aq shumë
E prap vazhdoj të të pres,
Shkurtoje kohën dhe eja tek unë!
Se s’e ndaj dot shpirtin në dy pjesë.

Kam dalë për të të pritur, i vetëm
Eja shpejt e shpirtin mos ma vra!
Shkurtoje kohën, shkurtoje të shkretën!
Se do të vij vetë, po u vonove dhe ca.

Për të ardhur gjer tek unë
S’të duhet kohë aq e gjatë
Shkurtoje kohën, shkurtoje shumë!
Eja e ndize zemrën time flakë!

FEKSE DASHURIE

A që si shtonim dot dhe ca orë te dita,
E mbrëmjet me puthje ti ndiznim flakē.
Qyteti nuk kishte më nevojë për drita,
Dhe hëna nuk e quante më veten plakë.

Rrufisnim kafe në lokalin afër pishinës,
Më tej bari fije më fije kishte djersitur.
Zemra i fliste zemrës si teli telit të violinës,
Se ndryshe do dukej si një qiri i fikur.

Me dhjetra orteqe njëherazi të na vinin,
Ne nuk thyheshim në copra si qelqe.
Në buzëqeshjet e njeri tjetrit do të binim,
Se dielli i dashurisë në qiellin e zemrave fekste.

SE DOJE TË NDRIJE PËRGJITHNJË

S’të mposhtën, por qëndrove si shkëmb
Dhe vuajtjet, asnjeri dot s’ti përshkruan
Në burgje e thërrisnin emrin tënd
Por zjarrin e shpirtit dot s’ta shuan.

Dhe s’t’u ndanë hijenat, por të ndoqën
Si hijena për dekada, rreth teje janë ndjerë
Asnjë grimë, asnjë grimë s’të mposhtën
Jo nuk të mposhtën asnjëherë.

Familjarët, me radhë në qeli t’i morën
T‘u vrisnin ëndrrat, t’u vrisnin shpresën,
Por ty, as qerpikët e syrit s’t’u drodhën
Veç më shumë shtoje qëndresën.

Jeta jote ishte në fijen të perit
Dhe fijen e perit s’e kishe për gjë
Se doje të ishe në ballë të nderit
Se doje të ndrije përgjithnjë.

Kushtuar nënë Hazbije Marovca – Malaj

Përreth Redaktor

Kontrolloni gjithashtu

Refleksione për krijimtarinë e Profesor Ago Nezhës

Nga Akademik, PrOF. DR. Rexhep QOSJA Ago Nezha është profesor universiteti, por profesor i cili …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.