ARSIMI ËSHTË FYTYRA E KOMBIT
Prof. Dr. Ago Nezha
Arsimi është mbrojtësi më i mirë i lirisë nga ushtritë e armatosura të injorantëve. Shembulli i keq i qeverisë për arsimimin e rinisë në këto gati tre dekada të demokracisë, nuk vdes shpejtë, përkundrazi frytet e tij shumëzohen e shtohen nga njëri vit në tjetrin. Studentët, që janë elita dhe e ardhmja e ndritur e një kombi janë lënë në harresë nga pushteti paradë. Po të shohësh kushtet e tyre të mjerueshme vëren se ata janë fyer, përçmuar, harruar, nënvleftësuar e keqtrajtuar nga qeveritë e radhës. Pushtetarët tanë kanë harruar se arsimi është fytyra e kombit. Dalja në protestë e studentëve për të drejtat legjitime të tyre është një mësim i vyer për demokracinë shqiptare, për mazhorancën e përgjumur dhe për opozitën përhumbur në ëndrrat e saj për pushtet nëpërmjet revolucionit. Të harrosh dhe nënvleftësosh rininë studentore, që është e ardhmja e vendit, do të thotë që të jenë errësuar sytë nga karrigia e pushtetit dhe të kesh orientim autokratik në një qeverisje rutinë që nuk njeh prioritetet e zhvillimit të shoqërisë demokratike. Kjo protestë ndryshe nga shumë protesta të tjera që kanë ndodhur postmoniste, shpalosi disa cilësi pozitive të rinisë: si qëndrimin qytetar, kulturën demokratike, sjelljen paqësore, kërkesa të arësyshme, pa pretendime të tepruara dhe pa revanshizëm moshor. I gjithë ky sfond, tregon se protesta në tërësinë e vetë, me ndonjë përjashtim, është modeluar nga njerëz me vizion, larg pasioneve dhe kurtheve politike, me profil qytetar, pa prishur, dëmtuar dhe shkatërruar pronën shoqërore. Kjo është një dukuri e kësaj shtrese të emancipuar të shoqërisë, që elementët demokratik i përdor për të vendosur standarde demokratike në një vend që e ka mbuluar apatia, plogështia, pangopësia për të përfituar nga pasuria kombëtare. Situata ekonomike që përjetojnë studentët, gjendja katastrofale e mjediseve të strehimit dhe taksat shkollore, nuk janë aksidente të kohës së sotme por një trashëgimi gati tridhjetë vjeçare, që ka kaluar si paradë në disa breza studentësh. Kambanat e protestës bien për mazhorancën dhe opozitën. Në rast se qeverinë aktuale me Ministren e Arsimit Lindita Nikolla në krye e kishte zënë gjumi letargjik, opozita si soditëse dhe indiferente gjatë qeverisjes së saj, pa pritur u kujtua të akuzoj qeverinë sikur kjo situatë studentore të ishte një rrufe në qiell të pastër. Fillojë të shajë, të akuzojë, të lëngojë e të qajë me lot krokodili për gjendjen e mjerueshme të kushteve jetësore të studentëve. Ata “qajnë” dhe qeshin me fatin e studentëve. Kur ndiejnë dhimbje kaq të thellë për situatën e krijuar në vite që fajtore është e gjithë klasa politike, të djathtë e të majtë, të tregojnë reflektim dhe nga thërrimet që kanë fituar gjatë qenies në pushtet, le ti dhurojnë si kontribute për studentët. Mjaftë më me lojëra donkishoteske, se ka ardhur koha që realitetin nuk e mbulon dot me vellon diabolike dhe nuk e ndryshon dot me fjalimet groteske të liderëve liliput të pseudodemokracisë shqiptare. Të gjitha kërkesat e studentëve janë të arsyeshme, të mundshme për tu realizuar dhe është koha që klasa politike shqiptare t’ju kërkoi falje për këtë qëndrim mospërfillës që ka mbajtur për dekada të tëra, në vitet e “demokracisë”, shtresës më vitale të shoqërisë. Në rast se kjo protestë do kuptohet si një mësim për demokracinë, duke hequr dorë nga lojërat politike të sharlatanëve politikë, që duan ta përdorin protestën si instrument për të ruajtur apo për të fituar pushtetin, atëherë ka fituar demokracia. Në rast të kundërt, me akuzime e justifikime, për të kaluar gardhin e protestës për përfitime politike, kjo do të ishte tragjike për një shoqëri demokratike si e jona që lëngon në korrupsion dhe e shikon protestën si një poligon ku shënjestron e djathta të majtën për ti marrë pushtetin dhe anasjelltas. Kjo odise gati tridhjetëvjeçare, është vrastare për shoqërinë Shqiptare. Mjaft më, mjaft o të pa ngopur, se shumë ju ka duruar ky popull.